Studimet e reja klinike kanë zbuluar se shumë fëmijë të vegjël që shpenzojnë shumë kohë para ekranit në TV, video game, tableta dhe kompjutera kanë simptoma të ngjashme me spektrin e autizmit.
Kur prindërit ua heqin ekranet për disa muaj, simptomat e fëmijës zhduken. Termi për këtë fenomen është “autizëm virtual” dhe u krijua nga psikologu klinik rumun Dr. Marius Zamfir.
Përdorimi masiv i pajisjeve elektronike ndikon në rritjen e vetmisë dhe asocialitetit të tij. Shoqërizimi me një ekran të ngurtë që nuk të përcjell emocione të një përqafimi të ngrohtë, me të cilin nuk shkëmben mendime të vërteta dhe të sinqerta, bëjnë që fëmija të fillojë të jetojë brenda një objekti të ngurtë duke humbur kontaktet me botën reale.
E ftuar në “Wake Up”, terapistja e zhvillimit, Migena Kurushi ngriti shqetësimin në lidhje me këtë fenomen, duke u bërë thirrje prindërve që t’i shkëpusin gradualisht fëmijët nga mjetet elektronike.
“Sot është më e lehtë t’i heqësh bukën nga dora sesa telefonin. Nuk duhet t’ua heqim menjëherë, por gradualisht. Fëmijët që qëndrojnë në telefon nuk e kanë të folurën funksionale pikërisht prej kësaj.
Me heqjen e menjëhershme ndikon edhe në psikologjinë e fëmijës. Gjithçka sot fëmijët e kanë zëvendësuar me virtualitet.
Nga studimet që kemi bërë ka rezultuar se kanë krijuar një lloj varësie nga bota virtuale. Fëmijët sot botën fizike e kanë zëvendësuar me botën virtuale. Në botën reale janë më të tërhequr, më të ndrojtur”, theksoi ajo.
Top Channel