Inxhinieri në pension Lulzim Berhami është 80 vjeç.
Ai është vaksinuar në fillim të javës dhe sot po shoqëron bashkëshorten që të bëjë vaksinën kineze në një nga qendrat shëndetësore të Durrësit.
Berhami: “I dëgjoj të gjitha debatet në tv, po nuk jam dakord me to. Më mirë të shpëtoj sot se të bëhem pishman nesër pse nuk e bëra vaksinën.”
Gruaja e tij: “Mezi po pres që të më largohet stresi, sikur çlirohesh kur e bën. Nuk ka rëndësi se çfarë është, kineze a diçka tjetër. Rëndësi ka që është vaksinë. Jemi të priviligjuar që na erdhi radha për ta bërë. S’ka problem me zgjedh.”
Inxhinieri: “Kam pasur të nesërmen pak dhembje koke dhe pak si i lodhur. I kam bërë 6 kilometra duke ecur në këmbë dhe do i bëj sërish.”
“E lehtë fare, pa frikë. E bëjmë çdo vit edhe vaksinën e gripit.”
Edhe pas vaksinimit, çifti Berhami shprehet se nuk do ta ulë nivelin e mbrojtjes, në pritje të krijimit të imunitetit të tufës.
”Maskat do t’i mbajmë. Kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt derisa të krijohet imuniteti i tufës. Nuk jam pesimist që do të kapë dhe vitin 2022, po me këto ritme mendoj se brenda këtij viti do të bëhet.”
Në Durrës, procesi i vaksinimit po vijon normalisht në të gjitha qendrat shëndetësore për të moshuarit mbi 75 vjeç, si dhe në qendrat e posaçme të vaksinimit për kategoritë e tjera.
Dy të moshuarit e tjerë: “Vallaj kam pas frikë, po më ka dalë.”
“Mu bë qejfi shumë. Kur të bëj dhe dozën tjetër do të jem dhe më e sigurt. Kam probleme me reumatizmën po nga kjo sëmundja s’do kem më frikë.”
Top Channel