12 vite me parë, vendi ynë u bë zyrtarisht anëtar i aleancës ndërkombëtare ushtarake, NATO-s.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, në “Facebook”, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri thekson se “Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë”. Ambasada kujton fjalim e ish-presidentit amerikan, George W. Bush, gjatë vizitës së tij në Tiranë, në 10 qershor të vitit 2007: “Shpresoj se vizita e sotme do të dërgojë tek populli shqiptar mesazhin se ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu si Amerika mund të mbështetet tek ju, për të punuar fort për të përhapur lirinë dhe, si rrjedhojë, paqen”.
Në postimin e ambasadës, shkruhet se vendi ynë ka mbështetjen e përhershme nga Shtetet e Bashkuara. “Shqipëria mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek Shqipëria më shumë se kurrë. Gëzuar përvjetorin e 12-të, Shqipëri!”
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka shkruan se “12 vite punë e përkushtim dhe ia kemi dalë të fitojmë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm dhe kontribues seriozë në sigurinë kolektive të Aleancës”.Xhaçka thekson se sfida e sotme është integrimi në Bashkimin Europian. “Sot, sfida jonë është integrimi në BE. Me shumë punë e shumë përkushtim edhe kjo sfidë do të fitohet hap pas hapi, duke filluar nga mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti!”
Top Channel