Të sjellësh një jetë të re në këto kohë Covidi është një sprovë e madhe, por Besmira Hoxha është një grua, që me plot gojën mund të themi, se e fitoi betejën me Covidin.
Dhe jo vetëm ajo, por edhe foshnja e saj, Leandra, që megjithëse lindi para kohe, 8 muajshe, gëzon shëndet të plotë.
Kastriot Dallaku: Besmira ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Covid 2, me komplikacione të rënda.
Ajo kishte trombemboli pulmonare ose siç njihet ndryshe mpiksje gjaku, përveç problemeve të rënda nga Covidi, pra kishte një komplikacion shumë të rëndë, që rrezikonte jetën e saj si dhe të foshnjës. Pas një konsulte multidisiplinare me mjektët e spitalit “Shefqet Ndroqi”, të cilët kanë bërë një punë të palodhur dhe shumë të përkushtuar me këtë paciente, si dhe stafit tonë të maternitetit “Koço Gliozheni”, ne arritëm të bëjmë një lindje me operacion në kohën e duhur dhe çdo gjë shkoi me sukses.
Nikoleta Xhavara: Falë bashkëpunimit më dy spitalet, çdo gjë shkoi shumë mirë. Patjetër që jemi krenarë, sepse çdo jetë e shpëtuar është një bekim.
Besmira Hoxha: Jam shumë mirë tani, jam shumë e kënaqur nga gjithë stafi, Ju faleminderit të gjithëve.
Duke qenë se Besmira nuk i përballonte dot emocionet sot, ne zhvilluam një bisedë me babain e bebes zotin Farudin Hoxha.
Farudin Hoxha: Vajza, Leandra, dhe gruaja ime janë shumë mirë tani. Para 3 ditësh dolëm nga spitalet, gruaja nga “Shefqet Ndroqi” dhe bebja nga materniteti “Koço Gliozheni”. Jemi në shtëpi në Kukës. Ne kemi edhe një djalë 3 vjeç.
Top Channel