Pushime në Gjermani? E pamundur! Pushime jashtë vendit? E mundur! Kancelarja Merkel do të donte ta ndryshonte këtë. Por kjo nuk do të ndodhë. Tani futet obligimi i testimit para kthimit.
Nuk është e mundur që të lejohen udhëtimet për pushime në Majorka të Spanjës, e në anën tjetër – nuk mund të shkosh në Flensburg për shembull, të cilin e ke vetëm 15 km larg. Kancelarja Angela Merkel së fundmi e tha këtë gjatë konsultimeve të saj me krerët e qeverive të 16 landeve gjermane. Ajo tha se do të rishikohet mundësia juridike e ndalimit të udhëtimeve jashtë vendit.
Por kërkesa e Merkelit që të shikohet mundësia e parandalimit të udhëtimeve turistike konsiderohet tani formalisht si e mbyllur, njofton qeveria federale. Një zëdhënës i qeverisë vuri në dukje të hënën në mbrëmje se udhëtimet nuk ndalohen, por kërkohet respektimi i rregullave aktuale. “Një rregullim tjetër ligjor për momentin nuk planifikohet.”
Apel në vend të ndalimit
Kjo do të thotë se udhëtimet jashtë vendit në parim ende janë të mundshme – pavarësisht pandemisë Corona. Por shprehimisht u tha: “Qeveria federale vazhdon t’u kërkojë të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga udhëtimet brenda dhe jashtë vendit, për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar dhe për shkak të rreziqeve që lidhen me këto udhëtime”.
Pas heqjes së Majorkës si destinacionit më të dashur të gjermanëve për pushime nga lista e vendeve të rrezikuara nga virusi Corona në mes të marsit, në këtë ishull spanjoll u rrit shumë numri i turistëve nga Gjermania. Vetëm në fundjavën e kaluar, 129 aeroplanë nga Gjermania kanë fluturuar në drejtim të Majorkës. Paralajmërimi nga Ministria e Jashtme gjermane që të mos udhëtohet u pezullua për shkak se numri i infektimeve në ishujt Baleare ka rënë nën 50 për 100.000 banorë brenda një jave, që në Gjermani konsiderohet si kufiri i heqjes së ndonjë vendi nga lista e vendeve të rrezikuara.
Por ndërkohë është futur detyrimi i testit negativ për të gjithë personat që udhëtojnë me avionë në drejtim të Gjermanisë nga vendet e jashtme. Kjo do të thotë se në avion nuk mund të futet asnjë person që nuk ka një test negativ që nuk është më i vjetër se 48 orë./DW/
Top Channel