Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë diskutuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm për vaksinat kundër koronavirusit.
Njoftimi u bë nga ana e presidencës franceze më 30 mars.
Macron dhe Merkel gjatë bisedës përmes video-lidhjes me presidentin rus, i kanë bërë thirrje atij që të respektojë të drejtat e kundërshtarit politik Aleksei Navalny dhe të ruajë shëndetin e tij, tha në një deklaratë pallati Elize.
Të tre udhëheqësit diskutuan gjithashtu situatën në Ukrainë, Bjellorusi, Libi, Siri dhe ranë dakord të koordinojnë përpjekjet në mënyrë që Irani të kthehet në përputhje të plotë me detyrimet e tij ndërkombëtare, tha deklarata.
Edhe Kremlini bëri një njoftim për mbajtjen e bisedimeve. Në deklaratë u tha se liderët diskutuan për “perspektivat e miratimit të vaksinës ruse Sputnik V në Bashkimin Evropian dhe furnizimet e mundshme të saj si dhe prodhimi i përbashkët në vendet e BE-së”. Rusia tha se në bisedime u fol edhe për situatën në Siri./REL/
Top Channel