“Ekonomia shqiptare u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Edhe pse ishte i pritshëm, recesioni sipas Instat ka rezultuar më i zbutur gati sa gjysma e parashikimeve fillestare të qeverisë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Ka qenë tremujori i katërt ai që ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e ekonomisë pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.9%, pas 3 muajve në rënie të thellë si pasojë e krizës dhe mbylljes së ekonomisë, veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit kur recesioni preku nivelin e 10.2%.
Ndërtimi rezulton edhe sektori që ka mbajtur peshën më të madhe të zgjerimit të ekonomisë tremujorin e fundit, si rrjedhojë e procesit të rindërtimit që duket se ka dhënë një impuls të konsiderueshëm sëbashku me aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që pavarësisht krizës kanë parë rritje thuajse gjatë gjithë vitit.
Shpenzimet e shtuara në shëndetësi e arsim nga ana tjetër kanë dhënë një ndikim jo të vogël në zbutjen e recesionit, që në vlerësimet e institucioneve të huaja parashikohej mjaft pesimist deri në -9% sipas BERZH.
Më të goditur nga kriza sipas Instat janë aktivitetet e sektorit të shërbimeve , tregtisë e hotelerisë, diçka e pritshme si rrjedhojë e sezonit turistik tejet të kufizuar dhe masave kufizuese. E pikërisht për shkak të varësisë së lartë nga turizmi, vlerësimet fillestare flisnin për rënien më të thellë të ekonomisë së vendit edhe ndër shtetet e rajonit.
Edhe transporti nga ana tjetër evidentohet si një ndër degët më të prekura, ku goditjen më të madhe e mori në muajt mars-maj, kur ekonomia ishte tërësisht në karantinë, duke ndjekur më pas trend rënës edhe në vijim.
Sipas të dhënave të Instat, konsumi final i popullatës shënoi një përmirësim duke u rritur me 2.9% kundrejt tremujorit të tretë, pas rënie së thellë që shënoi në tremujorin e dytë të vitit të kaluar kur pasiguritë dhe paqartësitë lidhur me situatën e Covid ishin tejet të mëdha.
Top Channel