Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër vaksinimin e të moshuarve në qendrën e përqendruar të vaksinimit në Shkodër. Manastirliu tha se procesi i vaksinimit po vijon rregullisht, ndërkohë që janë mbi 65 mijë të moshuar të vaksinuar.
“Procesi po shkon shumë mirë. Përveç stafeve mjekësore, arsimtarëve dhe tani të moshuarit kemi vaksinuar në këto ditë dhe gjatë gjithë fushatës së vaksinimit mbi 65 mijë të moshuar. Jemi në mbi 120 mijë vaksinime të kryera. Dje arritëm 100 mijë të vaksinuar dhe po ecim me ritme shumë të shpejta”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se procesi po kryhet paralelisht edhe në qendrat shëndetësore.
Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer rreth mbi 65 mijë vaksinime për të moshuarit, 33 mijë vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse dhe rreth 22 mijë vaksinime për arsimtarët.
Top Channel