Mungesa e turistëve të huaj dhe mosmarrja e masave nga qeveria ka bërë që industria turistike të pësojë një goditje të fortë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë turizmi vitin e kaluar humbi rreth 1.1 miliardë euro , pasi të ardhurat prej tyre zbritën në 989 milionë euro, nga shifra rekord 2 miliardë euro që ishte në 2019.
Operatorët turistikë vlerësojnë se 2/3 e industrisë turistike është në kolaps dhe strukturat akomoduese po punojnë me stafe të reduktuara pasi nuk arrijnë të përballojnë kostot e rritura ndjeshëm pas pandemisë.
“Pati një ndikim tremujori i tretë që mbijetoi turizmi se pati lëvizje nga Kosova e rajoni, tremujori i katërt tregoi sërish një situatë të vështirë. Kemi gati 2/3 e industrisë turistike në kolaps. Kemi një sërë masash shtrënguese, kufizimi I orareve, kufizimi i eventeve që kanë një peshë jo të vogël në të ardhurat e hoteleve. Kjo ka sjellë dhe rënien e numrit të punonjësve për shkak të kostove të larta” tha Zak Topuzi.
“Rihapja e aktivitetit hotelier në 18 maj ishte një ditë çlirimi. Filluam me një numër tejet të reduktuar punonjësish, u përballëm me kosto shtesë si pasojë e pandemisë. Puna filloi nga zero. Kishte ditë që shikonim njëri-tjetrin në sy. Ishte një riorganizim total i punës. Kemi arritur të rikthejmë në punë rreth 60% të stafit, shumë pozicione u reduktuan për të ulur shpenzimet.”
Sipas operatorëve turistikë mbyllja e ekonomisë për 3 muaj dhe më pas kufizimi i orareve në vijim ka sjellë një rënie drastike të xhiros dhe shumë subjekte po hasin vështirësi në shlyerje të taksave.
“Duke qenë se të ardhurat nuk janë më si dikur me kosto ekstra, ne kemi arritur në një pikë që po shlyejmë detyrimet përmes një marrëveshje me këste, çka tregon edhe një pamundësi të bizneseve.
“Subvencione për pagat e punonjësve, subvencione për kreditë e këtij sektori, subvencione direkte për bizneset e vogla të industrisë turistike, ulja e TVSH për të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me këtë industri. Një kërkesë e vazhdueshme është heqja e taksës së ndërtesës, pasi me VKM janë mbyllur aktivitet dhe vijon kërkesa për këto taksa”, tha Zak Topuzi.
Zhvillimet e fundit për udhëtime me një pasaportë Covid shihen me skepticizëm nga operatorët e tregut, pasi sipas tyre shtetet do të tentojnë të ruajnë turizmin vendas. Shpresa për mbijetesën e sektorit edhe këtë sezon turistik shtojnë ata duket se do të mbeten vizitorët nga Kosova e rajoni.
Top Channel