Është ndarë nga jeta deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino. Ai ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare pasi ishte i infektuar me COVID-19.
Të shumta kanë qenë reagimet për të, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se sot është ditë zi për PS dhe nuk do të ketë fushatë.
Kryetar i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla ka reaguar pas ndarjes nga jeta të deputetit, Bashkim Fino. Ndërsa e cilëson Finon vëlla, kontribues dhe deputet të dashur e të veçantë Balla ka shprehur ngushëllimet e tij.
“Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne.
Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur
Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë”, shkruan Balla.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka shkruan se ai ishte simbol i mirësisë dhe humorit dhe la pas një boshllëk të madh te kushdo që e njihte.
“Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme”, shkruan Xhaçka.
Kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj: Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. 🖤
Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij!
Prehu në paqe mik i dashur 🙏!
Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Manastirliu shkruan se është trishtuar për lajmin e hidhur, dhe se do i mungojnë bisedat e gjatë pushimeve në Kuvend dhe këshillat e tij të mençura.
Ajo shprehet gjithashtu se është krenare që ka ndarë një copë udhë në politikë me njeriun që drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit.
“U prehsh në paqe, mik”, shkruan ministrja në fund.
Edhe Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Bashkim Fino
“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvëndësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Top Channel