“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë “, kështu ka shkruar kryeministri Edi Rama në një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit të PS Bashkim Fino.
I tronditur nga humbja e papritur kryeministri njofton se : Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.
Kryeministri Rama mesazh ngushellimi:
⚫️ E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë.
Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.
Deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.
Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Top Channel