Arjan Sala u kthye në shtëpi i pajetë pas një lufte me zjarrin prej nga ku shpëtoi jetët e shumë njerëzve që gjendeshin në magazinat nëntokësore të një qendre tregtare.
Armand Abazaj dhe Gentjan Goga po bisedonin me djalin trim në oborr dhe njoftimi për zjarrvënie shtyu për të kapërcyer pragun, ku njërin prej tyre po e priste vdekja.
Armand Abazaj: Vetë u drejtua për tek pika e zjarrit ku ishte flaka dhe tymi i madh. Ky ishte imazhi i fundit sepse unë nuk arrita dot kurrë t’i jap ndihmë. Nuk di çfarë të them…
Ata ishin tre veta që hynë për të shpëtuar jetë njerëzish, por Arjani nuk doli kurrë. Iu tha dhe miqve “dilni, dilni”, ndërkohë me një bombol u drejtua drejt vatrës së zjarrit, e cila i mori jetën mes tymit dhe shtëllungave që nuk u administruan dot edhe nga forcat zjarrfikëse që mbërritën në vendngjarje.
Armand Abazaj: Ai, ne na tha të dalim jashtë. Ne, punëtorëve, kush ishte aty. Ishim diku 5-6 veta, nuk e kam fiksuar se ishte tmerr i vërtetë.
Gentjan Goga: Ia ka marrë bombolën nga dora një personi që ishte aty se ishin para nesh dhe nuk na kishin njoftuar. Ne shkuam pak sekonda pas tij. Në atë moment, ai hyn në magazinë, dalin persona të tjera që ishin aty. Ne, në moment paniku drejtohemi të marrim bombolat. Aty u bë shumë shpejt, maksimumi 1 minutë, 1 minutë e gjysmë.
Zëvendës ministri i mbrojtjes njoftoi nisjen e procesit për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të Arjanit që sakrifikoi jetën e tij për të tjerët. Ndërsa presidenti si mjaft qytetarë të tjerë ngushëlloi për humbjen e të riut.
Ekspertiza nuk ka dalë ende por ka shumë pikëpyetje mbi shërbimin zjarrfikës, nëse kanë apo jo pajisjet e duhura për të administruar vatra të tilla zjarri.
Top Channel