Pandemia e koronavirusit e ka përkeqësuar diskriminimin e bazuar në moshë – një problem tashmë i përhapur në të gjithë botën, thanë Kombet e Bashkuara.
Pandemia e koronavirusit e ka përkeqësuar diskriminimin e bazuar në moshë – një problem tashmë i përhapur në të gjithë botën, thanë Kombet e Bashkuara.
Në një raport të përbashkët, katër agjenci të OKB-së thanë se diskriminimi i lidhur me moshën është mbizotërues në të gjithë shoqërinë dhe se problemi nuk prek vetëm njerëzit e moshuar. “Diskriminimi për shkak të moshës është i përhapur në institucione, ligje dhe politika në të gjithë botën. Ai dëmton shëndetin dhe dinjitetin individual, ashtu si edhe ekonomitë dhe shoqëritë e mëdha”, tha në raport sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Kategorizimi, paragjykimi dhe diskriminimi bazuar në moshë vetëm se janë zmadhuar nga pandemia e koronavirusit, e cila ka sjellë dëme shkatërruese për njerëzit e moshuar, tha Guterres. “Kjo u mohon njerëzve të drejtat dhe aftësitë për të arritur potencialin e tyre të plotë”, shtoi ai. Raporti thekson se në vendet e punës, sidomos, të rinjtë dhe të moshuarit mund të përballen me disavantazhe, për shkak të moshës së tyre. Problemi i njëjtë paraqitet edhe në shëndetin dhe kujdesin social, në media dhe në sistemet ligjore.
Raporti u hartua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Zyra e të Drejtave e Kombeve të Bashkuara, Departamenti i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, si dhe Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara. Udhëheqësit e këtyre agjencive thanë se diskriminimi për shkak të moshës është rritur nga pandemia. “Njerëzit e moshuar shpesh janë parë si të dobët dhe të cenueshëm, ndërsa të rinjtë janë portretizuar si të pamposhtur”.
“Ne do të duhet ta trajtojmë çështjen gjatë dhe pas kësaj krize, nëse duam të sigurojmë shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e njerëzve kudo që janë”, theksuan shefat e agjencive të OKB-së. Raporti thekson se problemi mund të trajtohet duke ndërtuar “një lëvizje, për të ndryshuar rrëfimin rreth moshës dhe plakjes”. Gjetkë në botë, të dhënat për koronavirusin tregojnë se ai vazhdon të përhapet.
India raportoi të enjten 35,871 raste të reja me koronavirus, çfarë është shifra më e lartë në më shumë se tre muaj. Shteti më i prekur i Maharashtras përbën 65 për qind të rasteve të reja. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Indi është rritur tani në 11.47 milionë, që është më i larti në të gjithë botën pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit. SHBA-ja prin në botë me mbi 29.6 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 538,000 viktima. Por, javëve të fundit, numri i rasteve të reja dhe i shtrimeve në spital atje është në rënie, pjesërisht për shkak të fushatës së intensifikuar të vaksinimit.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, Franca ka numrin më të madh të të infektuarve, ndërsa Italia numrin më të madh të viktimave. BE-ja është kritikuar për fushatë të ngadalshme vaksinimi, por zyrtarët evropianë kanë fajësuar problemet me zinxhirin furnizues. Nga tri vaksinat e miratuara në BE, në shumicën e vendeve përdoren vetëm dy. AstraZeneca është pezulluar në shumë shtete, pas raporteve se disa individë të vaksinuar me të, kanë pësuar mpiksje gjaku. Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me mpiksjen e gjakut dhe kanë sugjeruar vazhdimin e përdorimit të saj./REL
Top Channel