Gjatë takimit me të rinj që kanë zgjedhur arsimin profesional, kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj i siguroi ata se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Ai risolli në vëmendje kohën kur mori drejtimin e ministrisë se Mireqenies Sociale, ku një prej gjërave që ishte lënë më në hije ishte arsimi profesional.
“Në 2013 arsimi profesional ishte diçka e përbuzur. Stigma e arsimit profesional atëherë ishte kthyer thuajse në kufijtë e neverisë, ndërkohë trofetë e gjeneratës ishin Kristali dhe Vitrina”, kujtoi Veliaj.
Ndërsa sot, Veliaj premtoi se biznese të vogla si Akademia “Hospitality and Tourism”, që ofron kurse të formimit profesional në fushën e turizmit për të rinjtë, do ta kenë taksën zero deri në 2029.
“Do i zerojmë taksat për biznesin e vogël deri në vitin 2029 sepse parashikojmë që kjo dekadë do të jetë me turbulenca per shkak te tërmetit, pandemise. Të paktën biznesi i vogël duhet të rrijë i qetë. Them që jep një dorë në logjikën që mos të fiksohemi vetëm për start up-et, por edhe se si të qëndrojmë lart”, nënvizoi kryebashkiaku.
Ndërsa, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi nënvizoi se sektori i turizmit është gjithnjë e në rritje dhe Shqipërisë i duhen të rinj të kualifikuar.
“Ka një “uri” tregu për persona të kualifikuar në këtë sektor. Uroj t’i kalojmë vështirësitë. Tërmetin e kemi kthyer në një mundësi të jashtëzakonshme, tani është momenti të kthejmë edhe pandeminë e të çlirojmë gjithë ato energji pozitive dhe potenciali është i jashtëzakonshëm. Duke parë këta djem dhe vajza, nuk ka se si të mos entuziazmohesh që ky sektor ka të ardhme, ka të ardhme Shqipëria”, përfundoi Shalsi.
Top Channel