Replika Biden-Putin/ Presidenti rus përgjigjet: I shari të shan

19/03/2021 01:58

Presidenti Rus Vladimir Putin, thumboi homologun amerikan Joe Biden, që një ditë më parë e quajti vrasës duke thënë “I shari të shan”, ndërkohë që lidhjet mes Moskës dhe Uashingtonit, shënojnë një rekord të ri të ulët.

‘Unë i uroj atij shëndet. Po e them këtë pa ironi, nuk është një shaka. I shari të shan. Nuk është një fëmijë që bën një shaka. Ka një domethënie të thellë psikologjike në gjithë këtë’- tha Putin.

Komentet e presidentit amerikan ndezën krizën më të rëndë mes Rusisë dhe SHBA në vite, me Moskën që tërhoqi ambasadorin e saj për konsultime dhe me paralajmërime se marrëdhëniet janë në prag të kolapsit. Por, gjatë një eventi që shënonte 7 vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Rusia, Putin, përjashtoi mundësinë e ndërprerjes së marrëdhënieve me SHBA dhe thumboi liderin 78 vjeçar amerikan.

‘Ne gjithnjë shohim tek një person tjetër cilësitë tona dhe mendoj se ai është njësoj si ne’- tha Putin. Në një intervistë me ABC News, të mërkurën, Biden tha se Putin do të paguante çmimin për përpjekjet për të dëmtuar kandidaturën e tij në zgjedhjet e vitit të kaluar. I pyetur nëse mendonte se Putin ishte një vrasës, Biden u përgjigj:

‘Po, kështu mendoj.Ai do të paguajë një çmim. Ne kemi folur gjatë me njëri-tjetrin, dhe unë e njoh relativisht mirë atë. Dhe gjatë bisedës i thashë: E di që edhe ti më njeh mua. Nëse unë mësoj se kjo ka ndodhur, atëherë duhet të presësh pasojat’-tha Biden.

Komentet e Biden ishin në kontrast të dukshëm me ato të paraardhësit të tij, Donald Trump, që shpesh është akuzuar se është shumë i butë me Rusinë. Vitet e fundit, marrëdhënia e Rusisë me Uashingtonit është përkeqësuar gjithnjë e më shumë, ndërkohë që pati thirrje në moskë të mërkurën që Rusia të ngrijë marrëdhëniet me SHBA pas komenteve të Biden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA