Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic njoftoi me tone optimizmi se ne 31 mars vendi do të furnizohet me vaksina kundër Covid 19 nga Bashkimi Europian.
Ai nuk ka dhënë detaje se për cilat vaksina bëhet fjalë. Abazovic e bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimi me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi në Bruksel.
Në fund të muajit janar, Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi, Borko Bajic tha se 84.000 vaksina të AstraZeneca-s do t’i dërgoheshin Malit të Zi përmes programit Covax. Ai pati deklaruar se dorëzimi i 25 deri 35 për qind të vaksinave pritet të ndodhë në tremujorin e parë, dhe pjesa tjetër në tremujorin e dytë.
Në tetor, qeveria e mëparshme malazeze nënshkroi një marrëveshje përmes së cilës, Mali i Zi u bashkua me mekanizmin Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Marrëveshja parashikon blerjen e rreth 250.000 dozave të vaksinave, të cilat do të vaksinojnë rreth 20 për qind të popullsisë. Nga një vend që e përballi relativisht mirë valën e parë të sëmundjes, Mali i Zi së fundi deklaroi se gjendja poi del jashtë kontrollit dhe nuk po e frenon dot më hovin e pandemisë. Një ditë më parë 18 persona humbën jetën atje si rezultat i Covid 19 dhe u regjistruan 553 infektime të reja.
Top Channel