Vaksinohen mësuesit në Fier, Rama-Manastirliu: Në 4 ditët e para u vaksinuan 2664 mësues, procesi i vaksinimit prioriteti nr.1

17/03/2021 13:37

Fier- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit të mësuesve në qytetin e Fierit.

“Kemi filluar edhe në Fier procesin e vaksinimit, kemi 3 shkolla të hapura ku po vaksinohen sot mësuesit. Vetëm në 4 ditët e para kemi vaksinuar 2664 mësues ose 7.2% të totalit të mësuesve që kemi në të gjtihë vendin. Procesi ka ecur shumë mirë, shkollat tashmë bashkë me strukturat e shëndetësisë janë në funksion të plotë të këtij procesi, për ta përmbyllur sa më mirë dhe sa më shpejt”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije vendimin e Komitetit Kombëtar të Imunizimit.
“Dje Komiteti Kombëtar i Imunizimit ka marrë vendimin për të vijuar vaksinimin me vaksinën AstraZeneca. Sigurisht do të pritet edhe vendimi i Agjencisë Europiane të Barnave, por ne po e monitorojmë me shumë kujdes të gjithë procesin”, tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama tha se vijimi i procesit të vaksinimit është prioriteti nr.1.

“Ky është një proces që duhet të shkojë paralel me kujdesin, duhet të shkojë paralel me mbrojtjen dhe është fatkeqësi që për shkaqe politike e interesa partiake, jepet shembulli më i gabuar, por njerëzit vetë duhet të kuptojnë se kjo është një luftë për shëndetin, është një luftë për jetën. Këputja e zinxhirit të infektimit përmes vaksinimit, është prioriteti nr. 1 dhe ne do të vazhdojmë intensivisht vaksinimin”, tha Kryeministri Edi Rama.

Procesi i vaksinimit antiCOVID ka vijuar me kalendar të kombinuar për mësuesit, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe personelin shëndetësor, në pikat e përqëndruara dhe në shkolla dhe që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 30,031 vaksinime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA