Luljeta Bozo, profesoresha në fushën e inxhinierisë, zëri i së cilës u bë shumë i njohur pas tërmetit të 26 nëntorit dhe të gjithë njerëzit fituan qetësi falë informacioneve që jepte në emisione televizive.
Bozo është e para kandidate për deputete në listën e PS për qarkun e Tiranës dhe ka dhënë një rrëfim ndryshe për jetën e saj dhe për prioritetet pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Për moshën që kam them se kam akoma për të përmirësuar gjendjen e pensionistëve dhe për t’i aktivizuar në disa probleme shoqërore ku do ta ndiejnë veten shumë mirë dhe shumë të dobishëm për shoqërinë. Fusha e dytë që kam prioritet është fusha e kërkimit shkencor kjo do të jetë e bashkangjitur me zhvillimin e arsimimit të lartë se s’mund të zhvillohet arsimi pa kërkim shkencor”, tha Bozo në videon e publikuar nga kryeministri Rama.
Në përshkrimin që bën për veten e saj, Bozo shton se bën regjim ushtari pasi zgjohet shumë herët në mëngjes dhe bën ecje rreth 5 km.
“Gjënë më të shtrenjtë kam kohën se po të iku koha nuk rikuperohet. Në 1965 mbarova studimin në fakultetin e inxhinierisë, u diplomova dhe duke qenë se isha me rezultate të mira më mbajtën në universitet. Kam 56 vjet që punoj pa ndërprerje. Librin e parë e kam nxjerrë në 75 ‘. Deri më sot janë bërë gati 35 libra të botuar. Çohem shumë herët në 4 e gjysmë ose 5. Bëj një ecje ky 5 km është regjimi ditor i ushtarit”, tha ajo.
Sa i përket daljeve televizive pas tërmetit të 26 nëntorit, Bozo tha: “1 javë rresht kam qenë në të gjithë televizionet pa asnjë interes sepse unë nisem nga parimi i të mirës të mirën bëje hidhe në det se nuk të humbet. Njerëzit fituan një qetësi se më vinin mesazhe pafund”.
Reagimet që ka marrë pasi pranoi të kandidojë për deputete Bozo thotë se kanë qenë pozitive.
“Takoj njerëz pafund si njoh fare më japin falënderime që pranova të kandidoj. Shprehin dëshirën se ne duam kështu njerëzish që të na përfaqësojnë”.
Top Channel