Ministrja Kushi takon artistët e konkursit “Mësuesi i Sakrificës”/ Ministrja Evis Kushi: “Sa shumë dashuri dhe mirënjohje për sakrificat e mësuesve tanë heronj!”
Punimet e nxënësve për konkursin e pikturës “Mësuesi i Sakrificës” kanë përcjellë emocion për publikun. Këto punime dëshmuan një dimension shumë të ndryshëm të dashurisë që kanë nxënësit për mësuesit.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi organizoi një takim me nxënësit, autorë të punimeve fituese.
“Shumë emocionues takimi me fituesit e konkursit digjital të pikturës ‘Mësuesi i Sakrificës’, artistë të talentuar që kanë zbukuruar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me pikturat e tyre. Ky konkurs ishte kaq i veçantë, sepse nxënësit shprehën aq shumë dashuri dhe mirënjohje në çdo punim të tyre për të gjitha sakrificat dhe punën e mësuesve tanë, heronjve të palodhur”, shprehet ministrja Kushi në statusin e saj në Facebook.
Punimet e tyre, sipas ministres Kushi, dëshmojnë shpresën, sakrificën prindërore të mësuesve. “Edhe pse të vegjël, këta fëmijë e kanë kuptuar kaq mirë situatën e pandemisë, dhe na e kanë shprehur nga thellësia e zemrës dhe mendjes së tyre, duke përdorur talentin e tyre”, shton ministrja.
Top Channel