Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten Enkeleida Hoxha, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë e cila akuzohet për ndërhyrje në uljen e dënimit dhe lirimin e të burgosurve.
Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare.

Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

Enkeleida Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.
Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.

Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA