Socialistët i qëndrojnë taksimit progresiv edhe në mandantin e tretë, por me një skemë të rishikuar duke rritur pragun e pataksueshëm.
Për ekspertët e ekonomisë korrigjimi i saj është një hap pozitiv, por duhej me shpejt. Tatimi progresiv vlerësojnë ata duhet të aplikohet jo vetëm mbi pagat, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave, në mënyrë që të sjellë përfitim për individët dhe buxhetin.
“Është një ndryshim i vonuar. E shikoj pozitiv këtë ndryshim, gjithsesi barra e rëndë I ngelet shtresës së mesme. Do të ishte mirë që të gjitha të ardhurat nga të gjitha burimet të bashkohen dhe llogaritja e tatimit të jetë mbi të ardhurat vjetore, jo mbi ato mujore. Të mos taksojmë lart vetëm të ardhurat nga pagat, por edhe nga të ardhurat e tjera. Duhet të ndryshojë tatimi mbi dividentin, mund të shkojë në 15%”, tha Enea Janko, ekspert për ekonominë.
“Duke u rritur segmenti i të taksuarve, zgjerohet baza e atyre që taksohen. Pavarësisht se rritet segmenti i taksimit, shtresa e mesme mbetet po njësoj e taksuar pasi nuk shpërndahet barra. Kapitali mbetet prapë i pataksuar. Ka ardhur momenti që të pasurit duhet të mbajnë barrën e tyre në buxhet”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.
Pjesë e programit të socialistëve është edhe rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë deri në fund të mandatit. Ekspertët janë skeptikë lidhur me këtë masë, pasi sipas tyre mund të hasë rezistencë nga biznesi.
“Natyrisht që është pozitive se rritja e pagës minimale sepse rritja e pagës minimale tregon një mirëqenie, por nga ana tjetër mungon minimum jetik. Shpresoj të jetë konsultuar me biznesin, organizatat e sindikatat e punës dhe duhet të jenë ato që thonë fjalën e parë, pasi jemi në kohë pandemia dhe rikuperimi do marrë kohë”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.
“Nuk besoj se do sjellë ndryshime në të ardhurat që fusin në xhep punonjësit, thjesht do të rrisë të ardhurat e buxhetit që shkojnë për pensionet e sigurimet shëndetësore. Shumica e kompanive bëjnë evazion, do zvogëlojnë pjesën e e padeklaruar të pagave do rrisin pjesën e deklaruar për të shkuar në nivelin e pagës minimale”, tha Enea Janko, ekspert për ekonominë.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, pjesë e programit të PS por edhe të partive të tjera duhet të ishte edhe një plan i detajuar në luftën kundër evazionit pasi sipas tyre një shifër e matshme e tij do të ndihmonte në politika më efektive për zhvillimin e ekonomisë.
Top Channel