Ndëshkohen me masë administrative 2978 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 4 ditëve të fundit. 2959 prej tyre janë ndëshkuar për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 4 ditëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 2569 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 390 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për pronarin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 16 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Top Channel