SHBA me sytë nga Japonia, dy zyrtarë të lartë amerikanë vizitë në rajon

16/03/2021 11:59

Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për fuqizimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Japoninë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë nisur një turne në Japoni dhe Korenë Jugore.

Vizita pason një samit online të mbajtur javën e kaluar mes liderëve të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Indisë. Temat e diskutimeve të zyrtarëve të lartë amerikan do të përshijnë lirinë e lundrimit në detet e Kinës Jugore dhe Lindore, çështjen bërthamore të Koresë së Veriut dhe situatën në Mianmar, pas grusht shtetit ushtarak. “Marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë janë, siç e dini, një nga më të fuqishmet në botë”, i tha Blinken një grupi udhëheqësish të biznesit japonez.

Sekretari Blinken vuri në pah dobësitë në zinxhirët e furnizimit global që janë shpërfaqur gjatë pandemisë së COVID-19. Ai bëri thirrje që vendet të punojnë për të krijuar zinxhirë më të mirë të furnizimit në të ardhmen. Koreja e Veriut ka të ngjarë të jetë në krye të rendit të ditës pasi Shtëpia e Bardhë tha se ky vend, deri më tani, kishte kundërshtuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’u përfshirë në dialog. Në hapjen e takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm të Japonisë, Toshimitsu Motegi, Blinken tha se ai dëshironte të punonte me Japoninë dhe aleatët për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Blinken dhe Austin do të udhëtojnë nga Tokio në Seul më 17 Mars dhe do të zhvillojnë bisedime me homologët e tyre në kryeqytetin e Koresë së Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA