Kërkohet porositësi i vrasjes së Bujar Sofisë/ Pazari u bë në terminal autobusësh, prokuroria siguron pamjet e makinës së ndërmjetësuesve

16/03/2021 15:16

Përveç thënieve të Ernejt Shytit, prokuroria deklaron se disponon pamje filmike të takimit mes të dyshuarve në një terminal autobusësh në kryeqytet, ku edhe është bërë pazari për të vrarë biznesmenin Behar Sofia.

Burimet e Top Channel tregojnë se ndërmjetësuesit përdorën një Fiat Punto për të mbërritur në vendin e takimit që është sekuestruar si provë materiale për të mbështetur dëshminë e 24-vjeçarit, një punonjës sezonal në Malin e Zi. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ai u nënkontraktua dhe u përdor si ekzekutor.

Në kërkim të indicieve që do të hedhin dritë mbi identitetin e personave që urdhëruan vrasjen e Sofisë, prokuroria i bëri ftesë Skënder Vathit për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Por ai refuzon të ketë dijeni, e vetmja fjali që ai këmbëngul është telefoni me të cilin u njoftua Ernejt Shyti, për të cilin thotë se nuk është i tij.

Sakaq, shoku i fëmijërisë së Ernejtit, Xhuliano Visha që ishte kontaktuar i pari për ta vrarë biznesmenin ende nuk është marrë në pyetje. I treti, Leonard Xhixha që e prezantoi Skënder Vathin si daja rezulton me një të kaluar problematike, më e rënda ajo e përfshirjes për të vrarë Fotion Alimanin me porosi të Mirdash Osmanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA