Eduart Shalsi, ministri i shtetit për sipërmarrjen dhe biznesin ka folur në lidhje me planin e PS gjatë viteve 2021-2025 duke thënë se biznesi i madh nuk i ka pasur asnjëherë shqetësim taksat.
Sipas Shalsit, pjesa e shërbimit ka qenë shqetësim dhe brenda një viti është arritur që mbi 90% e shërbimeve për biznesin të ofrohen online. Ndërsa thekson se kanë hapur një kapitull të ri për sipërmarrjen, dhe do të vijojnë më tej për ta konsoliduar më tej sipërmarrjen.
Shalsi: Falë një bashkëpunimi me sipërmarrjen, biznesit i thamë mos na sillni vetëm problemet, por propozoni dhe zgjidhjet. Ka qenë shumë interesante se në Shqipëri ka biznese të faturuara që ofrojnë dhe zgjidhje për modele të ndryshme. Madje kemi marrë modele biznesesh të suksesshme për të implementuar administratën publike.
Kemi shkundur administratën dhe janë të përditshme betejat tona për të reformuar dhe për të ngulitur një mentalitet të ri, atë të të shërbyerit ndaj biznesit. Kemi ngritur struktura, qoftë nga pikëpamje institucionale, kemi ndërtuar një proces për t’i dhënë vëmendje maksimale çdo lloj ankese, sugjerimi të biznesit. Por s’jemi mjaftuar me kaq. Kurrë nuk mund ta kuptosh një biznes se në çfarë rrugëtimi kalon nëse nuk e sheh me sytë e tua se në çfarë mjedisi punon.
Nuk kemi refuzuar asnjëherë të ballafaqohemi dhe me sondazhet e bizneseve. Vlen të theksohet se një sondazh i vitit 2019 e tregonte qartë se nuk kishte biznesi probleme. Dëgjojmë kundërshtarët që thonë do ulim taksat për biznesin e madh, që asnjëherë nuk e ka pasur shqetësim kryesor.
Biznesi i madh ka pasur shqetësim pjesën e shërbimit dhe kjo ishte arsyeja përse u mor një vendim. Kryeministri insistoi fort për shërbimet online, afati ishte 1 janar dhe tani brenda një viti, mbi 90% e shërbimeve për biznesin ofrohen online. Po vijojmë të përmirësojmë mënyrën e shërbimit. Ka qenë një proces i rritjes së rrjetit të koordinatorëve për biznesin. Në çdo ministri apo agjensitë kryesore ka një person të dedikuar që merret dhe ndjek të gjitha letrat e ardhura nga biznesi.
Do vijojmë të përmirësojmë platformën. Do të doja të ndalesha tek një moment interesant për sipërmarrësit e rinj në Shqipëri. Gjatë vitit të kaluar, patëm biseda me të rinj të talentuar që nuk kërkonin punë në shtet sic kemi dëgjuar. Donin një kuadër ligjor për start up-et.
Do vijojmë të jemi pranë sipërmarrjes sepse besojmë tek partneriteti, ndaj dua ta mbyll me atë që sic kemi hapur një kapitull të ri për sipërmarrjen, do të vijojmë më tej për ta konsoliduar më tej sipërmarrjen.
Top Channel