Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.

Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saj se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt. Sipas mbrojtjes Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.

 “Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.

Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është depozituar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Ndaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA