Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi për datën 22 mars seancën konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Osmanit. Ky njoftim vjen pasi Osmani, së bashku me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, takuan të hënën përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për t’u konsultuar për krijimin e institucioneve të reja. Thirrja e seancës konstituive pason certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat. Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti. Kurti ka thënë se do ta krijojë Qeverinë me partitë e komuniteteve joserbe.
Top Channel