TIRANË- Qeveria Shqiptare ka ndryshuar aktin normativ për sa i përket vaksinave anticovid. Sipas këtij ndryshimi të fundit, Qeveria lejon përdorimin edhe të vaksinave që nuk janë aprovuar nga FDA-ja amerikane apo nga EMA e Bashkimit Evropian.

“Vaksinat anti-covid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA), ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Evropian ose të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anti-covid-19”. thuhet në ndryshimin e aktit normativ.

Duke ditur që vaksinat që nuk janë miratuar nga FDA dhe EMA, janë ato të Rusisë dhe Kinës, kështu  është dhënë autorizimi duke hapur rrugën për negocimin e sigurimit të këtyre vaksinave nga ana e Shqipërisë.

Në fletoren zyrtare, është publikuar akti normativ, i cili parashikon që këto vaksina të përdoren në popullatë.

Konkretisht qeveria ka ndryshuar aktin normativ të mëparshëm i cili i hapi rrugë blerjes së vaksinave Pfizer dhe parashikonte që në popullatë të përdoreshin vetëm vaksinat anti-covid të certifikuara nga FDA-ja amerikane dhe Agjencia Europiane e Barnave EMA, por tashmë jepet mundësia që në Shqipëri mund të përdoren edhe vaksina që janë prodhuar dhe aprovuar nga trupa të tjerë certifikues të vendeve që prodhojnë vaksina kundër Covid-19.

Qeveria shqiptare tashmë i ka dhënë autorizimin Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Rindërtimit, të niste negociatat për blerjen e vaksinave të pacertifikuara nga EMA dhe FDA dhe nga negocimi për blerje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA