Katër personat e arrestuar pasi organizuan dhe realizuan në bashkëpunim vrasjen e Behar Sofisë kanë dalë para gjykatës, ku është shpallur masa e sigurisë “arrest me burg” për secilin prej tyre.
24-vjeçari Ernejt Shyti, i cili dyshohet se është vrasësi dhe u kap në Mal të Zi deklaroi para trupës gjykuese se do të flasë në një moment të dytë ndërsa tre të tjerët kanë mohuar njohjen dhe implikimin.
Ndërkohë asnjë nga tre të dyshuarit nuk ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije se vrasësi u mundua të fshihte identitetin. Një ekspertizë në Britaninë e Madhe është bazuar në pamjet e sigurisë ka parë se vrasësi shfaqet duke pritur shënjestrën teksa çalon, por ekspertët thonë se e improvizon këtë ecje dhe nuk ka probleme. Ndërkohë janë kryer matje të gjymtyrëve.
Edhe në këqyrjen e telefonit, vrasësi njoftohet me mesazh në messenger, ku i shkruajnë “Duro vlla se s’ka dalë akoma” dhe më pas i shkruajnë “Doli”. Teksa viktima kalon në vijat e bardha, në një moment përballet me vrasësin e dyshuar, i cili bën njohjen përmes fotografisë dhe i shkon pas për ta qëlluar.
Më pas, vrasësi hodhi rrobat e biçikletën dhe u kthye në banesën e tij. Një ditë pas krimit, më 26 shkurt mori me urgjencë një taksi duke i kërkuar shoferit që të shpejtonte se kishte punë. Taksinë e mori poshtë Ministrisë së Jashtme dhe i kërkoi që ta çonte deri tek terminali i ekonomikut. Brenda kishte dy çanta dhe i kishte thënë taksistit: “Të lutem gjej rrugën më të shkurtër pasi jam vonë”. Në dëshminë e tij, taksisti thotë se i bëri përshyypje fakti që e mbylli derën me bërryl, jo me dorë.
Ndërsa gjatë rrugës, taksisti e kishte pyetur se me çfarë merrej. Ai iu përgjigj se merrej me servis kompjuterësh dhe i kishte shtuar se nëse nuk i dilte gjë, do të ikte jashtë.
Ndërsa në dëshminë e nënës, thuhet se Shyti lëvizte me patinë, por një ditë shkoi në shtëpi me biçikletë dhe tha se e kishte ndërruar me një shok.
Burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, bëjnë me dije se një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar, Xhuljano Visha i thoshte të rroftë emigracioni sepse vrasësi ishte emigrant sezonal në Malin e Zi. Ernejt Shyti kishte ardhur për pushime dhe pas krimit është larguar, por arratia zgjati vetëm pak ditë.
Grupi i hetimit shpreson që të marrë në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Skënder Vathin, i cili dyshohet se është kontaktuar për vrasjen e Behar Sofisë, krim që ndodhi më 25 shkurt.
Të arrestuarit janë për vrasjen janë: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë; Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë; Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Si ndodhi ekzekutimi?
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Kush është Behar Sofia?
Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.
Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.
Top Channel