Britani/ “Nuk jam unë bosi”, 21-vjeçari shqiptar dënohet me një vit burg pasi u kap në fermë kanabisi (Emri)

15/03/2021 15:10

Një 21-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Elvis Keta është dënuar me një vit burg pasi u kap në një fermë droge me vlerë 27 mijë paund.

Gjyqtari që dha dënimin u sigurua që të jepte mesazhin e duhur për këdo që shkel ligjin. “Përhapni mesazhin se nëse vini në Mbretërinë e Bashkuar dhe bëni vepra penale do të futeni në burg. Nuk ka pasuri për t’u gjetur këtu për njerëzit që kryejnë krime”, tha Jonathan Rose.

Rose shtoi tha se ekziston mundësia që Keta të deportohet pasi të përfundojë dënimin, shkruajnë mediat britanike.

Keta u arrestua më 14 tetor të vitit të kaluar. Kur hapi derën në fermën që ndodhej në zonën Festival Avenue, Shipley dhe u përball me oficerët që e pyetën nëse kishte bimë kanabisi, ai u përgjigj: “Unë nuk jam bosi”.

Ai ishte i vetëm në banesë, kishte 50 paund në xhep dhe pasaportën e tij. Në të gjitha dhomat, përveç asaj të ndenjes kishte rreth 55 bimë kanabisi.

Keta, i cili u shpall fajtor për prodhimin e kanabisit, i tha policisë se ishte detyruar të punonte në fabrikë nga një grup burrash që takoi në Gjermani. Ai tha se ata e kërcënuan atë dhe familjen e tij por nuk dha detaje të tjera.

Ai mund të ishte viktimë e skllavërisë moderne, por dënimi i tij me burg u vendos pasi kishte liri në lëvizje sepse kishte para, telefon dhe pasaportë.

“Çdo ëndërr që ai kishte për një jetë më të mirë në këtë vend dhe për të qenë në gjendje të ndihmonte prindërit e tij në shtëpi, janë kthyer në një makth,” tha avokati i Ketës.

Prindërit e Elvis Ketës janë shumë të varfër, ndaj ai mori borxh para për të emigruar në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë arsye, pretendon se personave të cilëve u mori borxh, e detyruan që të punonte në fermën e kanabisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA