Abuzimi me rritjen e çmimit të plehrave kimikë në tregje ka vënë në lëvizje Autoritetin e Konkurrencës.
Pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët por edhe në media, Autoriteti ka kryer një monitorim dhe ka hapur më pas një hetim në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore.
Nga vëzhgimi i Autoritetit rezulton se disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve, të cilat i kanë importuar këto produkte duke siguruar gjendje në magazine e duke i shitur me çmime më të larta se kostoja e blerjes së tyre.
Kjo vlerëson Autoriteti, cenon konkurrencën e ndershme dhe hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janari I vitit 2020 deri më 31 mars të këtij viti.
Në kushte të tilla, Autoriteti i konkurrencës ka vendosur që të marrë masa të përkohshme për këtë rast, duke urdhëruar ndërprerjen e bashkëpunimit të ndërmarrjeve me njëra-tjetrën për vendosjen e çmimit si dhe heqjen e përdorimit të të drejtave ekskluzive.
Një masë e cila do të mbetet në fuqi deri në përfundim të hetimit, që mbyllet në fund të këtij muaji.
Moszbatimi i saj nga subjektet do të shoqërohet edhe me penalitete, që përfshin ndëshkimin me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore, ndërsa për ato që nuk e zbatojnë brenda afateve të përcaktuara gjoba shkon deri në 5% e xhiros mesatare ditore.
Top Channel