Kandidati i Partisë Socialiste, Alqi Bllako thotë se me projektet e planifikuara në sistemin e ujësjellësit, qytetarët e Tiranës do të kenë 24 orë ujë në fund të vitit 2023.
Tashmë është përfshirë në politikë, por më parë ka punuar si teknicien pranë ujësjellësit, ku sipas tij sukseset e arritura i tërhoqën vëmendjen kryeministrit Rama për ta ftuar në politikë.
“Në vitin 2019, kur mora detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, ishin vëtëm 5 a 6 qytete që kishin furnizim të pandërprerë me ujë, dhe ato me rrjete tërësisht të amortizuara. Pas 2 viteve janë pothuajse 55 zona urbane dh 300 zona rurale. Ishte reformë e jashtëzakonshme që mendoj se ka ndikuar te kryeministri që të japë ftesën për të kandiduar për Partinë Socialiste”, thotë Bllako, i ftuar në emisionin ‘Top Talk”.
Bllako flet për një projekt ambicioz për furnizimin e Tiranës me ujë të pijshëm. “Tashmë kemi ujë në Tiranë, 24 orë në 60% të territorit dhe brenda vitit 2023 do të kemi në 100% të bashkisë së Tiranës. Investimet kanë filluar, janë dyfishuar prurjet nga liqeni i Bovillës në Tiranë dhe po fillojmë ktë vit një investim të ri, që do të dyfishojë edhe kapacitetin filtrues të ujit. Nëse ne prodhonim 1800 litra në sekondë, sot prodhojmë 3600 litra në sekondë. Në momentin që dhe shtesa e impiantit do të përfundojë, qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi në masën 100% të kenë furnizim të garantuar me ujë”.
Top Channel