Forcimi i aleancave në Azi/ Në fokus të turit të zyrtarëve të lartë të SHBA

14/03/2021 21:46

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të nise turin e tij aziatik që është edhe i pari pas marrjes së detyrës, nga Havai ku ndodhet komanda ushtarake amerikane për rajonin e Indi-Paqësorit.

“Bëhet fjalë për aleancat dhe partneritetet”, u tha ai gazetarëve që e shoqërojnë gjatë udhëtimit, ku do të zhvillojë takime me aleatët kyçë në Tokio, New Delhi dhe Seul.

“Ka të bëjë edhe me rritjen e kapaciteteve”, vijoi ai duke shtuar se ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të përqendruara tek përpjekjet anti-xhihadiste në Lindjen e Mesme, Kina po modernizonte me një ritëm të shpejtë ushtrinë. “Epërsia konkurruese që kishim, është tkurrur. Ne vazhdojmë ta kemi epërsinë dhe do ta thellojmë atë. Synimi ynë është të sigurohemi që të kemi aftësitë dhe planet operacionale … të jemi në gjendje të ofrojmë një frenim të besueshëm ndaj Kinës dhe kujtdo tjetër që sfidon Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari i Mbrojtjes.

Në Tokio dhe Seul, zoti Lloyd do të jetë së bashku me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. “Një nga gjërat që duam të bëjmë unë dhe Sekretari i Shetit është të fillojmë forcimin e këtyre aleancave.

Synimi është kryesisht të dëgjojmë dhe të mësojmë, të shohim këndvështrimin e tyre”, tha zyrtari i lartë amerikan. Ky turne në Azi i krerëve amerikanë të diplomacisë dhe të mbrojtjes pason një takim të pashembullt të Katërshes, një aleancë informale e krijuar në vitet 2000 si kundërpeshë ndaj Kinës.

Top Channel