“Të hënën nis vaksinimi i mësuesve në gjithë Shqipërinë”/ AstraZeneca nuk është e sigurtë? Rama sqaron qytetarët

13/03/2021 11:36

Me mbërritjen e sasisë prej 38 400 doza nga “AstraZeneca” mbrëmjen e djeshme, sot ka nisur vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama foli nga shkolla “4 Dëshmorët” për vaksinimin e mësuesve, duke thënë që vaksinimi anti-Covid do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

“Vaksinimi do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Shkollat do të shërbejnë si qendra vaksinimi. Është një hap i madh përpara dhe kam shumë shpresë që në ditët në vijim do të kemi një lajm shumë të mirë për një sasi të madhe, që do na lejojë të hyjmë në një vaksinim masiv, që sezonin turistik ta kemi të lehtësuar. Do të vaksinojmë pensionistët masivisht, vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq. Kështu që do të na duhet të jetojmë edhe pak kohë me shfaqje tërbimi të kësaj natyre, që janë shprehje dëshpërimi. Ajo që ka rëndësi është të mundim armikun e padukshëm, pastaj mundjen e kundërshtarëve të dukshëm e kemi më të lehtë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama sqaroi situatën me informacionet që qarkullojnë se vaksina AstraZeneca është e dëmshme. Rama sqaroi se sasia prej 38 mijë e 400 doza që ka marrë Shqipëria ka ardhur nga Suedia dhe se është një seri e sigurtë.

“AstraZeneca është pezulluar në disa vende, siç është e vërtetë që ju jeni në detyrimin e madh dhe njerëzor të mos bëheni përçues të lajmeve të pavërteta që hapin panik. Mund të jetë në rrjetet sociale por jo në ekrane ku një staf i tërë punon. Nëse do ishte e vërtetë do qe e pamundur që bota ta lejonte. Sasia që morëm ne dje ka ardhur nga Suedia. E mendoni dot ju që Suedia ta lejonte një gjë të tillë? Sot kam parë një prononcim të drejtorit në Itali, thotë që bëhet fjalë për një seri të veçantë. Ne kemi një seri tjetër. Anglia vazhdon vaksinimin me AstraZeneca. Nuk ka shans që të jetë një injeksion që të shkaktojë komplikime me shëndetin. Nuk ka asnjë problem. Është një vaksinë që vazhdon dhe qarkullon”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA