Të paktën 100 persona të tjerë përballen me akuza për sulmin e Kapitolit në 6 janar, duke e çuar kështu në 400 numrin e personave që kanë përfunduar në lupën e prokurorëve.
Kjo u mësua nga dokumentet e paraqitura në gjykatë të premten në kuadrin e një çështjeje konspiracioni të gjerë, ku janë përfshirë edhe nëntë anëtarë të organizatës anti-qeveritare “Oath Keepers”, të cilët përballen me akuza për konspiracion gjatë sulmeve ndaj Kapitolit.
Tre anëtarë të tjerë të këtij grupi janë arrestuar. Nga pothuajse 800 mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që hynë me forcë në godinë në përpjekje për të zhbërë humbjen e tij gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, mbi 300 janë akuzuar tashmë, dhe akuza të reja vazhdojnë të ngrihen çdo ditë. Megjithatë, qindra të tjerë, shumë prej të cilëve janë fiksuar në fotografi dhe në video, janë ende të lirë, ndërkohë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) vazhdon t’i kërkojë.
“Hetimi vazhdon dhe qeveria pret që të ngrihen akuza ndaj të paktën 100 personave të tjerë”, shkruajnë prokurorët në dokumentet e dërguara gjykatës, ku kërkohet më shumë kohë për të përgatitur çështjen kundër anëtarëve të organizatës Oath Keepers. Sipas Qendrës Jugore Ligjore për Varfërinë, Oath Keepers është “një nga grupet më të mëdha radikale antiqeveritare” në Shtetet e Bashkuara.
Pretendohet se Organizata ka dhjetëra mijëra anëtarë. Dokumentet ligjore tregojnë se dhjetëra apo ndoshta disa qindra individë që hynë në Kapitol pa kryer dhunë nuk do ndiqen penalisht, pasi hetuesit përqendrohen tek shkelësit më të dhunshëm dhe të tjerët që planifikuan sulmin.
Top Channel