Që nga vrasjet me porosi, deri tek vendosja e tritolit për krushqinë e prishur, kush është grupi që ekzekutoi “padronin e drogës”, Behar Sofinë

13/03/2021 11:10

Policia ka arrestuar autorin dhe 3 bashkëpunëtorët e vrasjes së Behar Sofisë, të ndodhur më 25 shkurt në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se ekzekutori, Ernejt Shyti ka vrarë Behar Sofinë kundrejt një shume të majme parash, prej 50 mijë eurove. Policia ka gjetur policia ka gjetur edhe maskën dhe biçikletën e Ernejt Shytit fill pas vrasjes. Ky shtetas u largua drejt Malit të Zi për tu strehuar tek një miku i tij, por siç dhe raportoi mbrëmjen e djeshme gazetarja Anila Hoxha, ky shtetas u arrestua nga forcat policore malazeze dhe ju dorëzua autoriteteve shqiptare ditën e djeshme.

Si bashkëpunëtorë të tij janë arrestuar edhe Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç.

Të arrestuarit nuk janë emra të panjohur për policinë. Për shtetasin Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, Prokuroria e Krujës kërkoi gjykatës caktimin e masave të sigurisë arrest me burg në vitin 2016, pasi ky i fundit, në bashkëpunim me dy persona të tjerë vendosën një sasi eksplozivi që ka shpërthyer pranë një rrobaqepësie, në rrugën “Punëtori” në Fushë-Krujë, në nëntor të vitit 2016.

Dy nga të arrestuarit, Skënder Vathi dhe nipi i tij Erjon Tema, kishin konflikte me familjen Taga, që kishte në pronësi rrobaqepësinë. Ky konflikt ka lindur për shkak të një krushqie të prishur mes dy familjeve. Pikërisht kjo krushqi e prishur dyshohet të jetë edhe motivi i vendosjes së tritolit në rrobaqepësinë e familjes Taga.

Po ashtu edhe shtetasi Leonar Xhixha është i njohur për policinë, pasi në vitin 2014 policia e Dibrës ka parandaluar një vrasje të porositur. Efektivët e antiterrorit dhe krimeve të rënda ndaluan në atë kohë Leonard Xhixhan, banues në Fushë-Krujë; Bujar Leza, si dhe shtetasin V.C. Nga hetimet, këta tre shtetas në datën 10 nëntor 2014, rreth orës 22:00, në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë, kanë tentuar të vrasin shtetasin Fatjon Alimani , me banim në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë.

Nga hetimet e kryera nga policia, dyshohet se shtetasit Leonard Xhixha dhe Bujar Leza me banim në Fushë-Krujë, të ndihmuar edhe nga një banor i fshatit Gjoricë, rrethi Bulqizë me inicialet V.C, të porositur nga shtetasi me inicialet M.O banor i fshatit Gjoricë, po përgatiteshin të vrisnin shtetasin Fatjon Alimani.

Ndërsa shtetasi Xhuljano Visha, 28 vjeç, është dënuar më herët për veprën penale “Vjedhja”.

Si ndodhi ekzekutimi?

Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, Ernejt Shyti e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ka ndjekur për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se Shyti ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Burimet shtojnë se ka një sinjalizim dhe lokalizim për vendndodhjen e autorit, por pritet një ndërhyrje nga ana e policisë.  Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.

Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA