Premtoi ndihmë për aleatët, por Biden nuk lejon nisjen e vaksinave jashtë

13/03/2021 16:20

Miliona doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca për koronavirusin qëndrojnë të magazinuara në temperatura të ulëta në SHBA.

Ato nuk mund të administrohen në shtetet amerikane pasi vaksina nuk ka marrë ende miratimin për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve. Por administrata Biden nuk po lejon që ato të dërgohen jashtë vendit, ndërkohë që aleatët e Shteteve të Bashkuara po përpiqen të sigurojnë doza të mjaftueshme për pjesën më të rrezikuar të popullatës së tyre.

Vaksina me dy doza e kompanisë AstraZeneca, ka marrë miratim për përdorim emergjent nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por jo në Shtetet e Bashkuara. Tani partnerët e Shteteve të Bashkuara po nxisin Presidentin Joe Biden të lejojë që këto vaksina të vihen në dispozicion të vendeve të tjera, duke theksuar se administrata ka doza të mjaftueshme nga tre vaksina të miratuara tashmë, për të mbuluar çdo të rritur amerikan deri në fund të majit dhe të gjithë popullsinë amerikane deri në fund të korrikut.

Vetë AstraZeneca thotë se vaksinat e prodhuara në SHBA janë “në pronësi” të qeverisë amerikane dhe se dërgimi i tyre jashtë vendit do të kërkonte miratimin e Shtëpisë së Bardhë. “Ne e kuptojmë që qeveri të tjera mund të kenë kërkuar që administrata amerikane të dhurojë dozat e vaksinës AstraZeneca. Ne i kemi kërkuar qeverisë amerikane që t’i shqyrtojë me kujdes këto kërkesa,” tha në një deklaratë zëdhënës i kompanisë Gonzalo Viña.

Administrata Biden aktualisht ka blerë doza të mjaftueshme të Modernës, Pfizer-it dhe Johnson & Johnson-it për të qenë në gjendje të vaksinojë 150 milionë më shumë njerëz sesa popullsia e saj deri në fund të vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA