Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që shtetet që kanë luftëtarë në Libi t’i tërheqin ata “pa vonesa”, në mënyrë që të mund të respektohet marrëveshja e armëpushimit e arritur në tetor. Armëpushimi ka për qëllim që t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve.
Përmes një deklarate, Këshilli gjithashtu i bëri thirrje të gjitha palëve në Libi që të sigurohen për transferim paqësor të pushtetit te qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga kryeministri Abdul Hamid Dbeibah.
Tërheqja e trupave dhe respektimi i një embargoje të armëve, janë kushte kyçe që marrëveshja e armëpushimit të respektohet. Libia është në kaos që prej vitit 2011, kur u rrëzua nga pushteti Moammar Gadhafi. Që atëherë, në këtë shtet ka pasur dy qeveri, ajo në Tripoli e mbështetur nga OKB-ja dhe autoritetet rivale, që kanë ekzekutivin e tyre në lindje të këtij shteti.
Të dyja palët kanë mbështetje të milicive lokale dhe të fuqive rajonale dhe të huaja.
Dhoma e Përfaqësuesve të Libisë, më 10 mars, mbështeti presidentin e ri të përkohshëm, që të udhëheqë me vendin deri në zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen në dhjetor.
Marrëveshja e armëpushimit, e tetorit të kaluar, përfshinte një afat prej tre muajsh që të tërhiqen të gjitha forcat e huaja dhe mercenarët.
Shtetet e Bashkuara në janar i bën thirrje Rusisë, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të përfundojnë intervenimet e tyre ushtarake në Libi.
Moska ka mohuar se ka personel ushtarak në Libi, por nuk ka mohuar se ka mercenarë në këtë shtet.
Ekspertët e OKB-së kanë ardhur në përfundim se kompania ruse e sigurisë –që ka lidhje direkte me elitën politike ruse – e quajtur Grupi Vagner ka ofruar rreth 1.000 mercenarë për komandantin kryesor të qeverisë në lindje të Libisë, Khalifa Hifter.
Mijëra mercenarë të tjerë besohet se janë nga Siria, Sudani dhe Çadi, kanë thënë diplomatët.
Top Channel