Sot nis vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve.
Me mbërritjen e sasisë prej 38 400 doza nga “AstraZeneca” mbrëmjen e djeshme, Kryeministri Rama tha se do të fillohet menjëherë me vaksinimin jo vetëm të mësuesve por edhe pedagogëve, duke i kthyer shkollat në një pjesë të konsiderueshme në pika vaksinimi.
I pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur dërgesën e siguruar përmes mekanizmit COVAX, Kryeministri përçoi ftesën e vonuar për stafet mjekësore të Kosovës, që po ashtu do të mund të bëhen pjesë e planit të vaksinimit në këtë fazë.
“Nesër (sot) ne do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithën territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme. Ndërkohë që, jemi gati së bashku me Kosovën për t’i dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID që të vijnë dhe të vaksinohen në Kukës. Do të lidhemi me strukturat përkatëse atje për ta bërë këtë të mundur”, tha Rama.
Kryeministri bëri gjithashtu të ditur se gjatë muajit prill do të vijnë edhe 60 mijë doza të tjera nga AstraZeneca dhe 30 nga Pfizer.
Top Channel