Mali i Zi dorëzon 23-vjeçarin/ Dyshohet se është ekzekutori Behar Sofisë në Tiranë

13/03/2021 00:00

Një 23-vjeçar i arrestuar në Mal të Zi, ju dorëzua autoriteteve shqiptare mesditën e se premtes. Burimet të Top Channel thonë se i riu dyshohet të jetë autor i ngjarjes të rëndë të ndodhur në qendër të Tiranës, pak javë më parë, ku mbeti i vrarë Behar Sofia.

Por këto dyshime janë ende shumë paraprake, ndërsa i riu po merret në pyetje në Drejtorinë e policisë në Tiranë. Siç edhe Top Channel raportoi disa ditë më parë, autori e kishte pritur viktimën në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit.

Më pas, ai e ndoqi për rreth 30 metra dhe e qëlloi shumë pranë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Hetimet do të tregojnë nëse 23-vjeçari i ndaluar në Malin e Zi është apo jo vërtet autori i ekzekutimit të Behar Sofisë. Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA