Italia mbyll dyqanet dhe restorantet/ Masa të forta që nga e hëna. Në ditët e pashkëve ka izolim total

13/03/2021 16:33

Dyqanet, restorantet dhe shkollat do të mbyllen në mbarë Italinë të hënën teksa kryeministri Mario Draghi paralajmëroi për një valë të re të koronavirusit.

Për tre ditë gjatë Pashkëve, 3 deri në 5 prill, do të ketë izolim total. Italia, që një vit më parë vendosi njërën prej karantinave të para kombëtare, sërish po lufton të frenojë përhapjen e shpejtë të infektimeve, që duket se kanë marrë hov për shkak të varianteve të reja të koronavirusit.

Vendi fqinj ka raportuar më shumë se 100 mijë vdekje nga Covid 19, niveli i dytë më i lartë ky i jetëve të humbura në Europë pas Mbretërisë së Bashkuar. Fushata e vaksinimit atje është pllakosur nga vonesa, por një fenomen i tillë është vënë re dhe në pjesë të tjera të Bashkimit Europian.

Javën e kaluar, qeveria në Romë bllokoi eksportin e 250 mijë dozave të vaksinave të AstraZenecas në Australi, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin vendas të vaksinave. Sakaq edhe Bullgaria, Danimarka e Norvegjia që të gjitha e kanë ndaluar përdorimin e vaksinës britaniko-suedeze pas frikës se ajo mund të shkaktojë mpiksje të rënda të gjakut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këmbënguli megjithatë një ditë më parë se nuk ka të dhëna që tregojnë se një gjë e tillë është e vërtetë, dhe i bënë thirrje vendeve që të mos heqin dorë nga përdorimi i kësaj vaksine.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA