Nuk ka asnjë indikacion që vaksina e Oxford-AstraZeneca Covid-19 është e lidhur me një rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut, deklaroi Agjencia Europiane e Barnave (EMA), sipas BBC.

EMA thekson se numri i rasteve te personat e vaksinuar nuk ishte më i lartë se në popullatën e përgjithshme.

Deklarata erdhi pasi një numër vendesh, përfshirë Danimarkën dhe Norvegjinë, pezulluan procesin e vaksinimit me AstraZeneca.

Pezullimi erdhi pas njoftimeve se te një numër i vogël njerëzish ishte shfaqur mpiksja e gjakut pasi kishin marrë vaksinën.

Pati gjithashtu raporte se një 50-vjeçar kishte vdekur në Itali pasi ishte prekur nga tromboza të venave të thella (DVT) pas dozës së parë.

“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto simptoma, të cilat nuk renditen si efekte anësore me këtë vaksinë”, deklaroi Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

“Përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj dhe vaksina mund të vazhdojë të administrohet, ndërsa po vazhdon hetimi i rasteve të ngjarjeve tromboembolike”, shtoi ajo.

Ajo tha se kishte pasur vetëm 30 raste tromboembolike në pesë milionë europianëve që kanë marrë vaksinën.

AstraZeneca tha se siguria e ilaçit ishte studiuar gjerësisht në provat klinike.

“Rregullatorët kanë standarde të qarta dhe të rrepta të efikasitetit dhe sigurisë për miratimin e çdo ilaçi të ri”, tha një zëdhënës i saj.

Në Britaninë e Madhe, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tha se nuk kishte prova se vaksina kishte shkaktuar probleme dhe njerëzit ende duhet të shkojnë dhe të vaksinohen kur u kërkohet ta bëjnë këtë.

“Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm dhe nuk janë të rralla. Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës Covid-19 AstraZeneca tani janë administruar në të gjithë Britaninë e Madhe”, tha Phil Bryan i MHRA.

Vendimi për të pezulluar përkohësisht përdorimin e AstraZeneca ka ardhur si një pengesë për një fushatë tepër të ngadaltë vaksinimi europiane, pjesërisht për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania deklaruan se do të vazhdojnë të përdorin AstraZeneca-n.

“Përfitimet… janë më të larta se rreziqet”, deklaroi ministri Francez i Shëndetësisë, Olivier Veran./ATSH/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA