Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ku po zhvillon një takim me kandidatët për deputetë të këtij qarku për zgjedhjet e 25 prillit.
Ai ka prezantuar disa prej kandidatëve për deputetë, duke përfshirë ministren e Bujqësisë, Milva Ekonomin.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se marrëdhënia me njerëzit nuk lidhet në fushatë dhe zgjidhet kur mbarojnë zgjedhjet, por është një marrëdhënie që nuk zgjidhet.
“Në Durrës kemi një skuadër të fuqishme, kemi në radhë të parë dy mike kolege dhe zonja të mirënjohura dhe nderuara, ministren tonë të bujqësisë karriera e së cilës nuk ka nevojë për koment. Nga ana e saj Klodin, doktoreshën tonë që është një model i njeriut qytetar, profesionit dhe aktivist. Klodi ka bërë një hap të madh dhe jo aq të lehtë në kohën që është përfshirë në skuadër, më tutje më vjen shumë mirë që në këtë skuadër veç Milvës dhe Klodit kemi edhe Anën. Ajo ka qenë një aktiviste e skuadrës sonë në Durrës. Ka qenë pjesë e skuadrës së vitit 2017 pa kërkuar asnjëherë asgjë, më shumë mundësi për të kontribuar, kemi Kejdën dhe Klementinën. E nisa me anën më të mirë. Se burra dhe gra janë gjysma më e mirë e kësaj shoqërie dhe e një familjeje. Ne këtu jemi së bashku edhe me disa deputetë të cilët janë përsëri në skuadrën tonë dhe që përfaqësojnë angazhimin me komunitetin, atë që është një karakteristikë që të gjithë duhet ta kenë në lartësinë e duhur. Marrëdhënia me njerëzit nuk lidhet në fushatë dhe zgjidhet kur mbarojnë zgjedhjet. Është një lidhje që nuk zgjidhet, për këtë pjesë jam i kënaqur me punën e tyre. Unë besoj që eksperienca e Terit. Për të është një kthim përfundimtar në shtëpi”, tha Rama.
Top Channel