Paketa në vlerë prej 1.9 trilion dollarësh, e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në përballimin e pasojave të pandemisë, kaloi pengesën finale në Kongres.
Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi planin masiv të ndihmës me 220 vota për dhe 211 kundër. Asnjë republikan nuk votoi në favor të tij. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka cilësuar këtë nismë si mënyrën më të mirë për të rikthyer fuqinë e ekonomisë amerikane, të goditur si shumë ekonomi të tjera të botës, shumë fort nga koronavirusi.
“Është koha për t’i shpenzuar këto para”, është shprehur Biden. Paketa e ndihmës përfshin 415 miliardë dollarë për të forcuar përgjigjen ndaj virusit dhe shpërndarjen e vaksinave, rreth 1 trilion dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet dhe afërsisht 440 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe komunitetet që janë goditur veçanërisht nga pandemia.
Akti legjislativ pretendohet se ofron mbështetjen më të madhe kundër varfërisë në 100 vjet, ndërsa disa analistë thonë se përmasat e paketës së ndihmave do të kenë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonominë amerikane por edhe atë globale.
Top Channel