Theu masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ dhe kapet duke shitur kokainë, arrestohet 52-vjeçari në Poliçan
Ashtu siç ishte lajmëruar më parë ka nisur sot seanca disiplinore ndaj Enkeleida Hoxhës gjyqtarja, që njihet për vendimet ku shumë të dënuar janë liruar nga burgu. Ajo u arrestua nga SPAK më 11 shkurt, pasi akuzohet se me një skemë të ngritur së bashku me disa funksionar të tjerë në Gjykatën e Krujës, ulnin dënime dhe lironin të burgosur.
Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i cili thekson kërkesën për shkarkimin e saj nga detyra tha se: Në përfundim të këtij procedimi disiplinor, si për sa i përket fakteve të provuara dhe pretendimeve të paraqitura nga ana e magjistrates, subjekt procedimi disiplinor, në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfundimisht vlerësoj se gjatë këtij procedimi disiplinor rezulton e provuar se:
– Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal
– Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cënuar parimin e paanësisë së gjykimit
– Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha i është atribuar dhënia e cilësive të ndryshme, herë si i paraburgosur dhe herë si i dënuar, gjatë periudhave të njëjta në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e të njëjtit kërkues;
– Nga ana e magjistrates është aplikuar ulja e njëkohshme e dënimit për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar.

– Nga ana e magjistrates nuk janë respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie
– Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore
– arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.
kërkojmë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor:
Të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor
Të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar më herët masën e sigurisë arrest në burg për shtetasen Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë Avokati Vishaj është shprehur : Për mua një gjyqtar nuk mund të hiqet për një kazus. Rasti Billa e pranoj se ka shkelje për llogaritjen e viteve të dënimit por jo një kazus për shkarkim.
Metani: Padyshim që avokati dhe magjistratja kanë të drejtë të mbrohen por duke u fokusuar tek çështjet e raportit disiplinor. Dua të fokusohem tek përpjekjet e avokatit për të bërë pis këtë proces. Unë që në daljen e parë publike mes 8 shkurt 2020 kam paraqitur si prioritet inspektimet tematike nëpër gjykata për lirimet me kusht. Dhe këtë e kemi bërë me burimet e kufizuara njerëzore që ka pasur ILD dhe vijon marrja e informacioneve nga gjykatat. Kjo është procedura ligjore. ILD në ushtrimin e detyrës së vetë nuk mund të jetë paragjykues ndaj të dhënave që publikojnë mediat. Është detyrë e ILD të verifikojë këto fakte dhe magjistratja Enkeleda Hoxha është njohur me veprimet e hetimit disiplinor çdo herë. Avokati duhet të lexojë me vëmendje raportin se aty janë të gjitha përgjigjet e çështjeve që po ngre.
KLGJ pasi dëgjoi konkluzionet e palëve vendosi që shpallja e vendimit do bëhet më dt 17 mars ora 10
Top Channel