Në fund të tetorit të vitit të kaluar u devijua trafiku dhe nisën punimet te ish-Sheshi Shqiponja, për të cilat u premtua se do të zgjasnin për 4 muaj, për të përfunduar kështu në fund të shkurtit. Por, jemi thuajse në mes të muajit mars dhe asnjë nga tunelet nuk është funksional për qarkullimin e mjeteve.
E në fakt, duket se kompania “Salillari”, ajo që po kryen punimet në këtë vepër ka ulur ritmet e punës, çka ka sjellë edhe shkeljen e afateve të premtuara.
Këto pamje janë filmuar mesnatën e djeshme. Në kantierin ku ishte premtuar që të kishte punë natë e ditë, duket që ka shumë pak punonjës e më së shumti roje. Mungesa e trafikut në rrugë do ndihmonte që rritmi i punës të ishte më i shpejtë, por drejtuesit e kompanisë ndërtuese “Salillari” kanë menduar që është më mirë që shumica e punimeve të bëhen ditën kur ka edhe një trafik shumë të rënduar. Kaosi që shkaktohet në një pjesë të kryeqytetit, është pikërisht prej këtij projekti që po vonon të përfundojë.
Ne pyetëm edhe entin që ka porositur ndërtimin e këtij nënkalimi për vonesat në punime. kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar thonë se vonesat kanë ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut. 17 marsi shton ai është edhe data kur do të bëhet funksional njëri prej tuneleve për qarkullimin e mjeteve.
“Nga data 3 janar deri më 1 mars shirat kanë bërë të veten dhe është ulur pak ritmi i punimeve. Kemi datën 17 mars kur tubi 3 hyn në funksion, që është dalja e Pallatit me Shigjeta në Durrës. Në fazën e parë është mbaruar tubi 4, është bërë tubi 1, ka mbaruar tubi 3 në fazën finale, 75% tubi 2 dhe ka ngelur dhe 25% e tubit 2 dhe tubi 5″, shprehet Ergys Verdho, drejtor i ARRSH.
Por, kur do të bëhen plotësisht të kalueshëm të gjithë nën tunelet te ish-sheshi Shqiponja?
“Grafiku i punimeve na tregon që gusht ne mbarojmë punë me tubat dhe kompletimi i pjesës së sipërme të veprës shkon në tremujorin e fundit të këtij viti.” Ergys Verdho, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar”, u shpreh më tej ai.
Bllokimi i ish-Sheshit Shqiponja prej më shumë se 4 muaj ka bërë që trafiku në kryeqytet të rëndohet ndjeshëm. Prej mbrëmjes së 11 marsit do të nisë zbatimin plani i ri i menaxhimit të trafikut për Lotin 2 dhe Lotin 3 të unazës së re “Mbikalimi Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja” pranë zonës së Ozonit (Astir).
Top Channel