Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka dënuar për herë të parë dhunën kundër protestuesve pas grushtit të shtetit në Mianmar dhe i bëri thirrje ushtrisë për maturi.
KS-OKB e cila më parë bëri një deklaratë të përbashkët duke theksuar se zhvillimet në Mianmar ishin shqetësuese pasi ushtria në vend mori qeverinë por që nuk arriti dakordim për të dënuar grushtin ushtarak, këtë herë ajo arriti dakordim lidhur me dënimin e dhunës kundër protestuesve.
Në një deklaratë të përbashkët nga KS-OKB u dënua për herë të parë dhuna ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit në Mianmar ndërsa ushtrisë iu bë thirrje për maturi.
Ndërkohë dënimi i grushtit të shtetit nuk u paraqit në deklaratë pas refuzimit të Kinës dhe Rusisë.
KS-OKB-ja me 15 anëtarë bëri thirrje për kalimin demokratik dhe mbizotërimin e ligjit në Mianmar si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe distancimin nga dhuna.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit ndërsa kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 60 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.
Top Channel