Joachim Löw drejt tërheqjes: Nga lavdia e Kupës së Botës, në pikiatë

Joachim Löw do të largohet nga drejtimi i ekipit kombëtar të futbollit gjerman, pas përfundimit të Kampionatit Europian. Drejtuesi 61-vjeçar i dha Gjermanisë fitoren e Kupës së katërt të Botës në “Brazil 2014”, por që atëherë ka shënuar vetëm rënie.

Karriera magjike e 61-vjeçarit nisi në kohën kur ai ishte ndihmës i Jürgen Klinsmann në Kupën e Botës në vitin 2004, që u organizua në Gjermani. Dy vite më pas, në 2006-ën, atij iu besua drejtimi si trajneri kryesor i Kombëtares gjermane të Futbollit për meshkuj dhe kulmin e tij e shënoi në Brazil, me fitoren historike të Kupës së Botës.

Pas daljes poshtëruese të Gjermanisë nga faza e grupeve në Kupën e Botës 2018 në Rusi, shumë analistë prisnin që Löw të jepte dorëheqjen, por ndodhi krejt e kundërta. Ai nënshkroi një zgjatje të kontratës deri pas Kupës së Botës 2022 në Katar, një kontratë të cilën Shoqata Gjermane e Futbollit (DFB) ka rënë dakord ta mbyllë para kohe.

Joachim Löw: ‘mirënjohje e madhe’

“Unë jam duke e ndërmarrë me vetëdije këtë hap, plot krenari e mirënjohje të madhe, dhe akoma më i motivuar në lidhje me Kampionatin e ardhshëm Europian,” tha Löw në një deklaratë të martën (09.03).

“Krenari, sepse është një nder shumë i veçantë të përfaqësoj vendin tim dhe sepse unë kam qenë në gjendje të punoj dhe të ndihmoj në zhvillimin e futbollistëve më të mirë në vend për gati 17 vjet,” tha ai. “Unë jam i lidhur me ta nga triumfe të mëdha dhe humbje të dhimbshme, por më shumë se gjithçka nga shumë momente të mrekullueshme dhe magjike – jo vetëm Kupa e Botës në Brazil në 2014.”

Löw rikrijoi një ekip thuajse nga e para, duke sjellë një brez të ri të talenteve gjermane si Bastian Schweinsteiger, Toni Kroos, Jerome Boateng, Philipp Lahm, Thomas Müller, Lukas Podolski, Mesut Özil dhe Manuel Neuer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA