Një vit më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e karakterizoi koronavirusin si pandemi, gati tre muaj pasi rastet e para të të infektuarve u identifikuan në Kinë.
Pandemia shkatërroi ekonomi dhe u ndryshoi jetën miliarda njerëzve. Në atë kohë, shefi i OBSH tha:“Në ditët dhe javët në vijim presim të shohim shifra të rasteve, shifra të vdekjeve dhe shifra të vendeve të prekura që rriten edhe më shumë. Ne kurrë më parë nuk kemi parë një pandemi të shkaktuar nga një koronavirus”.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, pandemia vrau mbi 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa infektoi mbi 118 milionë. Në Shtetet e Bashkuara, vendin më të goditur në botë, gati 530,000 njerëz vdiqën dhe së paku 29 milionë u infektuan. Infektimet ditore, vdekjet dhe shtrimet në spital ranë dukshëm atje, pjesërisht për shkak të vaksinimit.
Rreth 62 milionë njerëz në SHBA u vaksinuan deri më tani me një ose më shumë doza, apo rreth 19 për qind e popullsisë së rritur. Derisa fushata e vaksinimit përshpejtohet, më shumë shtete amerikane po i heqin kufizimet, duke rihapur restorantet, dyqanet dhe shërbimet e tjera. Megjithatë, ekspertët paralajmëruan se lehtësimi i parakohshëm i masave shëndetësore mund të nxisë një tjetër valë të infeksioneve. Kjo valë e re po ndodh tashmë në pjesë të Evropës dhe Amerikës Latine, ku variantet e reja të virusit morën hov. Brazili regjistroi të mërkurën një rekord të ri të vdekjeve ditore nga virusi: 2,286.
Në Evropë, i ashtuquajturi variant britanik i koronavirusit është duke u bërë dominues në shumë vende. Në Gjermani, ky variant po përhapet shpejt dhe zë tani rreth 55 për qind të infeksioneve të reja. Spanja do të forcojë masat e izolimit gjatë festës së Pashkëve. Disa vende në Ballkan po ashtu do të rrisin kufizimet, mes tyre Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Top Channel