Halit Valteri është bashkuar me PS dhe është renditur në vendin e 35-të në listën e qarkut të Tiranës për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Me anë të një postimi në Facebook, Valteri zbulon kushtet përse pranoi të kandidojë nën siglën e PS. Njëra i përket faktit që është renditur në fund të listës duke u zotuar se do të votohet nga 10 mijë qytetarë të Tiranës pasi ka marrë mbështetje edhe në takime me banorët, edhe nëpërmjet mesazheve.
Kushti i dytë lidhet me mbështetjen e shtresës së ish pronarëve, të cilët thotë se u grabitën me dhunë dhe thekson se do të jetë zë i fuqishëm për shtresën e të përndjekurve politikë. “Besimi juaj, do të jetë udhërrëfyesi im në këtë drejtim”, shkruan Valteri.
Shkrimi i plotë
Të dashur miq,
Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët shqiptarë gjithnjë e vulosin këtë me besim. Personalisht mendoj se në këtë rrugëtim që kam ndërmarrë, i cili nuk mund të jetë aspak i lehtë, por madje tepër i vështirë e me pengesa, unë kam bindjen se vazhdoj të jem në rrugën e drejtë.
Po. Kam pranuar të jem kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën siglën e Partisë Socialiste, por me dy kushte të vetme:
I pari, emri im duhet të renditet në fund të listës, duke pasur besimin e palëkundur në vetvete se kam mbështetjen e të gjithë miqve, njerëzve të mi të afër, familjes dhe qindra qytetarëve që më kanë mbeshtetur me mesazhe dhe madje edhe personalisht, duke marrë pjesë në takimet që kam zhvilluar me banorë të zonave periferike të Tiranës. Unë marrë guximin dhe zotohem para jush se do votohem nga dhjetë mijë qytetarë të Tiranës, duke qenë zëri i tyre i patjetërsueshëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
I dyti, unë si kandidat i listës së Tiranës do mbështes fuqimisht të gjithë shtresën e ish-pronarëve, të cilët u grabiten me dhunë shtetërore nga ligji famoz 7501 dhe që Partia Demokratike edhe pse e ka si një nga shtyllat fondamentale të saj, në të gjitha qeverisjet nuk bëri asgjë, madje veçse sa e rëndoi akoma edhe më shumë gjendjen. Do jem një zë i fuqishëm për shtresën e të përndjekurve politikë, me dëshirën për t’i dhënë fund njëherë e mirë talljes dhe përbuzjes së kësaj shtrese nga Partia Demokratike për tridhjetë vite me radhë.
Besoj shumë në entuziazmin dhe sinqeritetin e brezit tim, pasi pavarësisht gjithçkaje, ishin dhe vazhdojnë të mbesin fuqia ime më e madhe, ata që më dhanë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira.
Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa besimi që unë kam marrë nga secili prej tyre që pata fatin t’i takoj, një nga një, në një Shqipëri që s’e sheh askush, që s’bërtet dhe që për dreq as nuk ankohet.
Besimi juaj, do të jetë udhërrëfyesi im në këtë drejtim.
Ju falenderoj të gjithëve, pa përjashtim të gjithë ju për mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë, menjëherë sapo emri im u publikua nga Partia Socialiste në media.
Mesazhet tuaja i vlerësoj pafund dhe ju them se; është një kostum që më rri ngushtë, por mund të vishet dhe që sot për sot është më i bukuri.
Zoti ju bekoftë!
Top Channel